Belgjika dënon Facebook për mbledhjen e të dhënave; 100 milion euro gjobë
Facebook dhe dënimi në Belgjikë: «Ndalo mbledhjen e të dhënave të përdoruesve»
Rrjeti social rrezikon një gjobë maksimale deri në 100 milionë euro, sepse nuk respekton rregullat e privatësisë kur i gjurmon për arsye reklamimi aktivitetet e njerëzve që navigojnë jashtë platformës
Facebook nuk respekton rregullat e privatësisë dhe sipas një gjykate belge rrjeti shoqëror duhet të ndalojë veprimtarinë e tij të mbledhjes së të dhënave të përdoruesve belgë që navigojnë në internet dhe të fshijë ato që ka tashmë te ruajtura. Nëse nuk vendos të pajtohet me rregullat e vendit, kompania do të goditet nga një gjobë prej 250 mijë euro për çdo ditë të mospërputhjes, deri në shifrën prej 100 milionë eurosh. Kështu, Gjykata mbështeti opinionin e Komitetit të Privatësisë të vendit sipas të cilit Facebook nuk informon në mënyrë adekuate përdoruesit se si mbledh dhe koleksionon të dhënat kur ato navigojnë në internet, veçanërisht kur kjo ndodh jashtë përdorimit nga rrjeti social. Facebook në fakt mund të ndjekë sjelljen e individëve që janë duke u konsultuar me faqe të tjera interneti përmes vënies së një “më pëlqen” apo shpërndarjes së atyre faqeve ose përmes të ashtuquajturave cookies ose smart pixel që ndjekin aktivitetet e përdoruesve. E gjithë kjo për të arritur t’i shesin reklamuesve hapësirat e reklamave gjithnjë e më në shënjestër të interesave të njerëzve. Kompania e Menlo Park ka njoftuar hapjen e një padije kundër vendimit dhe gjithashtu është mbrojtur duke pretenduar se këto janë mjete standarde që përdoren në botën e teknologjisë, duke përsëritur pastaj se rrjeti social ka qenë gjithmonë i kujdesshëm për t’i dhënë përdoruesve informacionin e duhur mbi çështjet që lidhen me privatësinë dhe funksionimin e cookie-t, gjithashtu duke ju dhënë edhe mundësinë të zgjedhin mënyrën që të mos gjurmohen për qëllime reklamimi.
Lexo edhe: Studiot e Hollivudit shpallin luftë ndaj atyre që krijojnë addon pirate për Kodi
Rastet të tjera
Në vitin 2015 rrjetit social i ishte ndaluar nga një gjykatë belge mbledhja e të dhënave personale që nuk i përkisnin përdoruesve siç kujton Bloomberg. Ndërsa vitin e kaluar, Komisioni Evropian gjobiti kompaninë për 110 milionë euro për informacion mashtrues në kohën e blerjes së WhatsApp. Rasti i Gjermanisë është më i fundit: Autoriteti Antitrust i vendit ka akuzuar Facebook-un për abuzimin e pozitës së saj dominuese, duke shkelur ligjet mbi mbrojtjen e informacionit personal nga momenti që merr lejen e hyrjes të të dhënave nëpërmjet palëve të treta, nëpërmjet WhatsApp dhe Instagram. E gjithë kjo pa llogaritur që në maj rregullorja e përgjithshme mbi mbrojtjen e të dhënave do të bëhet plotësisht funksionale, në të cilën edhe Facebook, ashtu si të gjitha kompanitë që veprojnë në Evropë, do të duhet të përshtaten.